Duke ftuar mbi stresin (5)
16. Shtator E Hënë

‘Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë...që mund t'i dërgonte të predikojnë’ Marku 3:14 NIV (Botimi 2011)

Mos u përpiq që të bësh gjithçka vetë. Një nga arsyet pse ne stresohemi është për shkak se ne mendojmë se çdo gjë varet nga ne. Jezusi nuk veproi kështu. Ai përzgjodhi, trajnoi dhe u dha autoritet dymbëdhjetë të tjerëve që ata të mund të ndanin barrën me njëri-tjetrin. Ai e delegoi punën e Tij. Ai përfshiu njerëz të tjerë. Prandaj, përse nuk e bëjmë edhe ne këtë gjë? Ka dy arsye për këtë: 1) Perfeksionizmi. Ne mendojmë: ‘Nëse dua që një punë të bëhet mirë, duhet ta bëj vetë’. Kjo është një ide e bukur, por shpesh nuk funksionon mirë sepse ka shumë më tepër gjëra për t’u bërë. Ne thjesht nuk kemi kohën dhe talentin për të bërë gjithçka vetë. Ky në realitet është një qëndrim egoist që thotë: ‘Askush, po askush, nuk mund ta bëjë atë gjë ashtu siç mund ta bëj unë!’. A mendon se Jezusi mund të kishte bërë një punë më të mirë se sa dishepujt e Tij? Sigurisht që po, por pavarësisht se e dinte këtë, Ai sërish ua dorëzoi atyre punën. Pse? Sepse ne duhet t’i lemë njerëzit që të bëjnë disa gabime në mënyrë që ata të mësojnë, në të njëjtën mënyrë siç mësuan edhe dishepujt. Mos ua vidh të tjerëve mundësinë për të mësuar. 2) Pasiguria. ‘Po sikur unë t’ja jap dikujt tjetër këtë përgjegjësi dhe ai të bëjë një punë më të mirë se unë?’. Kjo munëdsi është kërcënuese për shumë prej nesh. Por ti nuk do të ndjehesh i kërcënuar nëse e di se kush je, kë po përpiqesh të kënaqësh, çfarë dëshiron të arrish dhe cila është ajo gjë tek e cila duhet të përqëndrohesh. Për të qenë efektiv ti duhet të përfshish edhe njerëz të tjerë sepse ti nuk mund të përqëndrohesh në më shumë se një gjë dhe ta bësh atë mirë.