Ki një zemër mirënjohëse
17. Dhjetor E Hënë

‘Buzët e mia dhe goja ime do të shpallin lëvdimin tënd’ Psalmi 51:15 NKJV

Një zemër mirënjohëse çdo ditë është një dhuratë. Ajo është si një magnet që gjatë gjithë ditës tënde mbledh arsye për të qenë mirënjohëse. Ajo e falenderon Perëndinë për mrekullinë e muskujve që i aftësojnë sytë e tu për t’i lexuar këto fjalë dhe për trurin tënd që t’i kuptojë ato. Ajo e falenderon Perëndinë për mushkëritë që mund të thithin dhe të nxjerrin mijëra litra ajër çdo ditë. Ajo e falenderon Perëndinë për zemrën që do të rrahë rreth tre miliard herë gjatë jetës tënde dhe për një tru, i cili është me të vërtetë një gjenerator elektrik dhe super kopmjuter në fuqi. Ajo e falenderon Perëndinë për djathin në tostin tënd dhe qumështin në drithërat e tua. Për batanijen që të ngroh dhe shakatë që të argëtojnë. Për mijërat avionë që nuk u rrëzuan sot. Për burrat që nuk i tradhëtuan gratë e tyre dhe për gratë që nuk i kthyen shpinën burrave të tyre. Dhe për fëmijët, që pavarësisht presionit të papërshkrueshëm për të mos i nderuar prindërit e tyre, vendosën të mos e bëjnë këtë gjë. Të gëzuarit për gjërat e mira është pikërisht ajo që të ndihmon të kalosh përmes gjërave të vështira. ‘Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë’ (Fjalët e Urta 17:22 NLT). Mirënjohja është një sjellje që ti e zgjedh, jo një reagim ndaj rrethanave të tua. ‘Se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën dhe, si falënderoi, e theu’ (1Korintasve 11:23-24 NLT). Vëre, fjalët po tradhtohej dhe falenderoi janë në të njëjtën fjali dhe në të njëjtën zemër. Natën që Jezusi u tradhëtua, Ai falenderoi. Dhe ti mund ta bësh këtë kur e di se Perëndia ka çdo gjë nën kontroll dhe po bën që gjithçka të veprojë për të mirën tënde.