I lirë nga skllavëria e fesë
November 07. Wednesday

‘Krishti na liroi dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë’ Galatasve 5:1 NLT

Disa prej nesh e kanë të vështirë që ta lejojnë veten të mendojnë, thonë apo shijojnë disa gjëra për shkak të frikës se mos të tjerët nuk e miratojnë këtë gjë. Ne jetojmë me anë të bindjeve të tyre në vend të tonave. Nuk ka asnjë skllavëri si skllavëria fetare! Një autor i krishterë shkruan: ‘Kisha në të cilën u rrita na mësonte se ne nuk mund të shkonim në kinema apo në një ndeshje futbolli (duke u përzier me botën) apo që zonjat të bënin tualet. Përgjigjia jonë standarde për shumicën e këtyre çështjeve ishte: “Neve na kanë mësuar ndryshe!”’. Ky është arsyetimi i një ndërgjegjeje të rritur në shkollën e traditës. Pali u foli ashpër galatasve që po përpiqeshin të kontrollonin jetët e njerëzve dhe t’i detyronin ata që të jetonin sipas traditës judaike në vend të Ungjillit të hirit. Ai shkroi: ‘Sigurohuni...që të qëndroni të lirë…mos u lidhni sërish në skllavërinë e ligjit’ (v. 1, NLT). Trajnoje veten që të shqetësohesh më pak për atë që njerëzit mendojnë dhe më shumë për atë që Perëndia mendon. Në realitet, ajo që i mërzit disa njerëz fetarë është fakti që ti mund të bësh disa gjëra që ata nuk mund t’i bëjnë – sepse ata nuk mund t’i japin vetes lejen që të shijojnë lirinë e tyre në Krishtin (shiko Galatasve 2:4). Tani, ne nuk po lejojmë mëkatin apo praktikat që Shkrimi s’i lejon. Por nëse nuk lëviz kur drita është jeshile, ti do ta kalosh jetën tënde duke pritur ‘momentin e duhur’ ose  ‘kohën kur shumica e njerëzve do të të kuptojnë’ përpara se të hedhësh hapin. Dhe ti do ta përfundosh jetën duke parë pas me keqardhje. Mos lejo që kjo të të ndodhë ty. ‘Krishti na liroi dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë’.